Ulen temperaturat, në male do ketë reshje bore

11/10/2016 00:00

Reshjet me intensitet të lartë që shkaktuan përmbytje në zonën e Laçit janë zhvendosur gjatë këtyre orëve në jug të vendit.

“Kemi një përmirësim të përkohshëm, pra reshjet në këto moment janë prezente në të gjithë territorin e Shqipërisë po janë kryesisht në jug”, thotë Rezarta Xhakollari, meteorologe.

Por reshjet e një dite më parë pritet të kthehen sërish në mbrëmje në zonat veriperëndimore, të shoqëruara edhe me borën e parë.

“Shkodra, Lezha, kryeqyteti dhe Durrësi parashikohet të rikthehen reshjet. Kemi një rënie të ndjeshme 3-4 gradë Celcius. Në zonat malore 11 gradë në vlerat maksimale dhe në zonat e ulëta dhe ato bregdetare nesër termometri maksimal nuk do t’i kalojë 18 gradë”, thotë Xhakollari.

Meteorologët thonë se këto temperatura poshtë mesatares mujore, tipike për stinën e dimrit, do të ndryshojnë nga dita e enjte që do të sjellë sërish mot të mirë deri ditën e shtunë.

Top Channel