Athinë, Meta takon presidentin grek. Pavlopoulos kërkon sërish varrezat e të rënëve

11/10/2016 00:00

Vizitën e tij në Athinë, kryetari i Parlamentit Ilir Meta e vijoi me një shtrëngim duarsh me presidentin grek Prokopis Pavlopoulos. Retorika e muajve të fundit nuk u pasqyrua në këtë takim, ku kreu i shtetit grek u përpoq të tregonte se marrëdhëniet dypalëshe janë në një fazë pozitive.

“Ne grekët e kuptojmë mirë bashkërrugëtimin mes dy popujve tanë. Kur qenë në një moment vështirësie, shqiptarët erdhën emigrantë në Greqi, e një numër i madh jetojnë ende këtu. Unë i njoh pikëpamjet tuaja, vizionin tuaj për marrëdhëniet dypalëshe, ndaj besoj se ju do të ndihmoni në avancimin e mëtejshëm të tyre”, tha Prokopis Pavlopoulos, president i Greqisë.

Duke kujtuar vuajtjet e dy popujve në të kaluarën, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, Pavlopoulos u shpreh se ka ardhur koha të përfundojë historia e të rënëve, që – siç tha ai, – duhet ta kenë me në fund një varr.

Meta, nga ana tjetër, falënderoi Greqinë për qëndrimin ndaj emigrantëve shqiptarë dhe nivelin e integrimit të tyre në shoqërinë vendase.

“Dua t’iu falënderoj për atë që Greqia ka bërë në pritjen e emigrantëve shqiptarë këtu. Ka qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për sistemimin e tyre, por edhe për ekonominë e tyre. Dua të vlerësoj shkallën e lartë të integrimit të komunitetit shqiptar këtu. Marrëdhëniet tona janë të forta. Nëse themi se janë thjesht miqësore, do të jetë pak. Duhet të zgjidhim çështjet e bartura me qetësi dhe prosperitet, të bazuar në reciprocitet. Ne besojmë në ndihmën e Greqisë në proceset integruese të Shqipërisë”, tha Meta.

Në vijim të vizitës në Athinë, Meta u prit në Parlamentin grek prej homologut të tij Nikos Vutsis.

Top Channel