Haiti pas uraganit, kërcënohet nga kriza e urisë

11/10/2016 00:00

Pas shkatërrimeve apokaliptike që la pas uragani Matthew, Haiti kërcënohet nga kriza e urisë. Paralajmërimi erdhi nga presidenti i përkohshëm Jocelerme Privert, sipas të cilit, kriza mund të shpërthejë brenda 3 ose 4 muajve nëse situata nuk do te menaxhohet siç duhet.

Ai theksoi se humbjet ishin të mëdha dhe nevojiteshin ushqime, ujë e medikamente në mënyrë urgjente.

Më herët, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban ki Moon bëri thirrje për një reagim masiv për të ndihmuar vendin.

Stuhia e kategorisë së katërt besohet se u ka kushtuar jetën mbi 1 mijë personave, ndërsa të prekurit janë mbi 1.4 milionë. Ajo shfarosi qyteza e fshatra nga harta, duke shkatërruar dhjetëra mijëra banesa, toka bujqësore e rezerva ushqimore.

OKB ka bërë thirrje për grumbullimin e rreth 120 milionë dollarëve, që do të mbulojnë 3 muajt e ardhshëm. Më rënien e nivelit të ujërave shpërndarja e ndihmave është prioriteti kryesor, por autoritetet janë shprehur të shqetësuara për sigurinë.

Banorët në zonat më të prekura janë gjithnjë e më të dëshpëruar dhe ka pasur raportime për bllokime të rrugëve për plaçkitjen e kamionëve me ndihma. Trupa të armatosura rëndë të Kombeve të Bashkuara ruajnë pakot që do të shpërndahen në qytetin e Jermie.

“Autoritetet na sollën disa gjëra, por burrat nuk na lejojnë t’i marrim. Nuk durojmë dot më. Nuk kemi ku të shkojmë apo ku të flemë”, shprehet një banor.

“Nuk kam shtëpi…Të gjitha gjërat e mia i mori uji. Do të lind këtë muaj, por s’kam asgjë. Po qëndroj në qendër strehimi që prej së hënës”, thonë një grua.

Epidemia e kolerës është një tjetër kërcënim për popullsinë. Sëmundja përhapet nga uji i ndotur dhe ka një periudhë të shkurtër inkubacioni. Matthew ishte uragani më i fuqishëm që goditi Karaibet që prej Flix në 2007. Aktualisht ai po shkakton probleme në SHBA ku është reduktuar në një ciklon post-tropikal.

Top Channel