Nishani në Itali, takim me shoqatat e komunitetit shqiptar

11/10/2016 00:00

Presidenti Bujar Nishani, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të shoqatave të komunitetit shqiptar atje, me të cilët bashkëbisedoi mbi rolin e rëndësishëm të diasporës në konsolidimin e urave të miqësisë mes dy vendeve dhe dy popujve.

Në fjalën e tij, Nishani u shpreh se arritjet e deritanishme të Shqipërisë, si anëtarësimi në NATO dhe vijimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, pa harruar progresin social-ekonomik nuk mund të konceptohen pa kontributin e madh të emigracionit shqiptar jashtë vendit, të sakrificave, përkushtimit dhe angazhimit, veçanërisht të komunitetit shqiptar në Itali.

Kreu i shtetit i siguroi të pranishmit mbi mbështetjen e plotë të Presidentit të Republikës dhe të institucioneve të tjera shqiptare në funksion të rritjes së bashkëpunimit me diasporën shqiptare në përgjithësi dhe veçanërisht me atë në Itali.

Ai premtoi gjithashtu krijimin e kushteve të përshtatshme për një pjesëmarrje dhe angazhim më të madh të tyre në jetën sociale dhe politike të vendit.

Top Channel