Dy hëna të Saturnit me oqeanë?

11/10/2016 00:00

Kur u nis nga Toka, misioni i sondës Cassini ishte dërgimi i sa më shumë të dhënave për planetët e largët të sistemit tonë diellor.

E në trajektoren e Cassinit ishte edhe Saturni dhe hënat e tij. Sonda nisi të dërgojë të dhënat e marra prej planetit dhe satelitëve të tij natyrorë dhe ato që tërhoqën më shumë vëmendjen e shkencëtarëve ishin pikërisht dukuritë e vërejtura nga këto të fundit.

Sipas tyre, në momentin e kalimit tek Enceladus, njëra prej hënave të Saturnit, u vërejt një luhatje graviteti, që studiuesit e “Royal Observatory” në Bruksel e justifikojnë vetëm me praninë e ujit.

Ata thonë se nën korracën akullnajore të Enceladus ndodhet një oqean me ujë. E njëjta luhatje graviteti u ndje edhe në momentin kur sonda kaloi pranë hënës tjetër, Dione me ndryshimin e vetëm që ishte më e zbehtë se ajo e Enceladus.

Kjo, sipas shkencëtarëve, sugjeron se edhe nën korracën akullnajore të Dione gjendet një oqean me ujë me ndryshimin e vetëm nga Enceladus, që ndodhet shumë më thellë.

Shkencëtarët besojnë se korraca e akullt e Dione kap një trashësi prej 100 kilometrash.

“Është sfidë e breza të ardhshëm që të studiojnë, pse jo edhe të dërgojnë misione në sipërfaqen e këtyre dy hënave të Saturnit për të verifikuar teorinë tonë, por edhe për të vërtetuar nëse uji në këta dy satelitë prodhon jetë”, thonë shkencëtarët. 

Top Channel