Katastrofa në Alepo, UNICEF: Po vdesin shumë fëmijë

11/10/2016 00:00

Situata në lindje të Alepos është e tmerrshme. Përfaqësuesja e UNICEF në Siri, Hana Singer deklaron se shumë shkolla e spitale janë goditur nga sulmet dhe se për shkak të mungesës së shërbimeve e strukturave shëndetësore mjekët nuk janë në gjendje të trajtojnë të gjithë. Për këtë arsye, thotë ajo, shumë fëmijë braktisen në fatin e tyre tragjik.

“Dimë se kanë mbetur vetëm 30 mjekë dhe se mbi 100 fëmijë kanë mbetur të vrarë. Brenda vetëm një dite, kur unë isha atje, të paktën 25 persona mes të cilëve 5 fëmijë u vranë. Ekziston një frikë konstante nga vdekja. Mendoj se kjo është kriza më e rëndë humanitare e të gjitha kohërave”.

Ndërkohë, Franca ka njoftuar se do t’i kërkojë gjykatës ndërkombëtare të krimeve në Hagë të zhvillojë hetime për krime të mundshme luftë në Alepo.

Pjesa lindore e qytetit që kontrollohet nga rebelët, është vënë në fokus të një fushate intensive bombardimesh ajrore nga avionët rusë dhe sirianë.

Në një intervistë radiofonike, ministri i Jashtëm francez, Ayrault e bëri të qartë se ishin kundër asaj që Moska po bënte në Alepo dhe shprehu përkushtimin e madh të Francës për të shpëtuar popullsinë në Alepo.

Që prej fillimit të ofensivës ushtarake në 22 shtator, disa ditë pas dështimit të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Rusia, të paktën 290 persona, 57 prej të cilëve fëmijë, janë vrarë në zonat e kontrolluara nga rebelët, sipas të dhënave të Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër.

Top Channel