Fiks Fare: Qendra shëndetësore e Himarës, punësime në të zezë

11/10/2016 00:00

Abuzimi me detyrën arrin deri aty sa punësimet në administratën shtetërore realizohen në të zezë, pra punësohen njerëz dhe nuk paguhen as sigurimet shoqërore, as sigurimet shëndetësore dhe as tatimi mbi fitimin.

Kështu ka ndodhur dhe në qendrën shëndetësore të Himarës, ku është punësuar një shofer autoambulance, i cili nuk është deklaruar pranë ISSH-së, sipas Kodit të Punës.

Për të vërtetuar këtë fakt, Fiks Fare transmetoi të hënën në mbrëmje rastin në Himarë, ku takoi një nga drejtuesit e autoambulancave në Himarë. Ai u tregon gazetarëve të Fiksit se punon në qendrën shëndetësore të Himarës që prej një viti, bashkë me një shofer tjetër.

Duke u nisur nga kjo, emisioni investigativ kërkoi informacion më të hollësishëm pranë qendrës shëndetësore të Himarës, ku takoi drejtorin Jani Gjoka. Gjatë një bisede të Fiks Fare me drejtorin Gjoka, ky fakt pranohet prej tij, por ai pretendon që kjo është “e ligjshme”. Drejtori thotë që ka dy ambulanca dhe njërin shofer e ka në organikë dhe i paguan sigurimet shoqërore, ndërsa tjetrin e paguan nga zëri buxhetor “602” dhe nuk i paguan sigurimet shoqërore.

Ai pretendon se këtë ia lejon ligji, pasi shërbimin e transportit e ka dhënë me tender, ndërkohë që mendon se në janar të 2017 do rregullohet dhe ky problem. Madje, ai shpjegon se e njëjta procedurë ndiqet dhe me sanitaret, ashtu siç ka vepruar vetë në qendrën shëndetësore të Himarës, pasi nuk ka funksione të tilla në organikë.

Për të verifikuar ligjshmërinë e punësimit të shoferit në qendrën shëndetësore të Himarës, Fiks Fare shkoi në Drejtorinë Rajonale të Shëndetësisë në Vlorë, ku pyeti konkretisht drejtorin Tomor Caka. Drejtori i DRSH-së Vlorë thotë se nga verifikimi paraprak rezulton se shoferi është i punësuar që në muajin nëntor të vitit të kaluar, por sigurimet i janë paguar vetëm në muajt korrik dhe gusht, kur është kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai thotë se përgjegjësia në këtë rast i bie firmës që ka fituar tenderin për këtë shërbim, por përgjegjësi kanë edhe drejtuesit e qendrës shëndetësore, pasi me të marrë informacion për këtë shkelje është dashur të kryhet ndërprerja e kontratës, veprim që sipas tij nuk është realizuar. Në këto kushte, ai thotë se menjëherë do të dërgojë një grup verifikimi në terren dhe do të propozojë marrjen e masave nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjithsesi, shkeljet në qendrën shëndetësore të Himarës duket se janë dhe më të mëdha se thjesht punësimi i një shoferi, që nuk i paguanin sigurimet shoqërore. Sipas verifikimeve të kryera, kompania fituese e tenderit për shërbimin e transportit në Qendrën Shëndetësore të Himarës, pra nga nëntori 2015 deri më 31 qershor 2016, e cila pretendohet se kishte punësuar shoferin e padeklaruar, rezulton se është në pronësi të bashkëshortes së shoferit tjetër të kësaj qendre shëndetësore.

Tenderi është fituar pikërisht më 1 nëntor 2015 nga subjekti Dhimitrulla Goro Kabuci. Dhimitrulla Kabuci rezulton se është bashkëshortja e Milto Kabucit, i cili është drejtues i ambulancës tjetër në qendrën shëndetësore të Himarës.

Sipas QKR-së, kompania e saj rezulton se merret me shërbime funerale në Bashkinë e Himarës. Kjo kompani rezulton sipas dokumenteve që ka punësuar shoferin Jani Kongjini, por ai asnjëherë nuk është vënë në dijeni të këtij fakti.

Madje, për të mbuluar shkeljet e qendrës shëndetësore në Himarë, drejtuesit e saj i kanë komunikuar me telefon largimin nga puna shoferit të dytë, pikërisht Jani Kongjinit. Ekonomisti i qendrës shëndetësore, Altin Memeti, i komunikon shoferit se ka folur me drejtorin dhe i ka thënë se nuk mund të punojë më me të. Ndërkohë, shoferi kërkon paratë që i kanë mbetur pa paguar për 20 ditë, nga 15 shtatori deri në ditët e para të tetorit. Por Memeti i thotë se nuk e di kur do i marrë, pasi fillimisht duhet t’ia kalojë qendra firmës dhe më pas firma do ia japë atij. Bëhet fjalë për firmën e dytë që ka fituar tenderin, pikërisht subjekti Tufik Kurti.

Madje, gjatë bisedës telefonike, ekonomisti Memeti shpjegon se Kongjinin e kishin regjistruar te firma e gruas së shoferit tjetër të ambulancës, prandaj paratë ia jepnin nëpërmjet shoferit, duke shpjeguar gjithë mekanizmin e abuzimit në këtë qendër shëndetësore.

Top Channel