Kualifikueset, Franca i falet perlës së Pogbasë, fitojnë Portugalia e Belgjika

10/10/2016 00:00

Makthi i eliminimit nga një turne madhor u rikthye sërish në kombëtaren holandeze të futbollit pas humbjes ndaj Francës që gjithsesi lë vend për korrigjime. “Tulipanët” humbën 1-0 në shtëpi ndaj Francës në kualifikueset e Botërorit 2018 duke komplikuar rrugëtimin e tyre drejt fazës finale pasi distancohen me ekipet kryesuese.

90 minutëshi në “Amsterdam Arena” u vendos nga një perlë e Paul Pogba.
Mesfushori me vlerë 110 milionë euro justifikoi disi veten pas kritikave në kombëtaren transalpine, duke finalizuar në rrjetën e portokallinjve një goditje të bukur nga distanca. Me këtë humbje Holanda spostohet e treta në grupin ku vetëm një ekip kualifikohet direkt.

Portugalia kampione e Europës nuk pati probleme me transfertën në Ishujt Faroe pasi vendasit u dorëzuan pa kushte në një ndeshje e cila u mbyll 0-6. Andre Silva i vodhi skenën e protagonistit Cristiano Ronaldos me 3 gola, por bomberi i Realit la gjithsesi shenjë në një prej rrjetave të pjesës së dytë.
 
E hëna rezervoi një gol shqiptar në stadiumin e Andorrës, aty ku Zvicra fitoi 1-2 ndaj vendasve. Penalltia e Fabian Sher i dha avantazhin helvetikëve që më pas siguruan triumfin me golin e mesfushorit nga Gostivari, Admir Mehmedi.

Për t’u shënuar në përballjet kualifikuese paraqitja e Belgjikës me fitoren 6-0 ndaj modestëve të Gjibraltarit. Në këtë ndeshje u vendos edhe një rekord shënimi me golin e Bentekes pas vetëm 6 sekondash lojë, një nga 3 të tillë që shënoi sulmuesi me ngjyrë.

Top Channel