Kosova zyrtarisht pjesë e Asamblesë Parlamentare të KiE

10/10/2016 00:00

Duke filluar nga janari i vitit 2017, Kosova do të marrë pjesë në seancat e asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës me një delegacion të përbërë nga tre anëtarë, pozitë, opozitë, dhe pakica.

Vendimi u ratifikua me shumicë votash sot gjatë sesionit të asamblesë parlamentare të KiE bën të ditur një komunikatë për shtyp nga Kuvendi i Kosovës, i cili ka dërguar në Strasburg një delegacion të përbërë nga nëkryetarët Xhavit Haliti dhe Aida Dërguti.

Me këtë vendim, Kuvendi i Kosovës bëhet pjesëmarrës në mbledhjet e Komitetit për Demokraci ku vendoset edhe për raportime, apo rezolutat për Kosovën, merr të drejtën e fjalës Brenda mbledhjeve dhe zgjerimi i delegacionit përfaqësues nga  Kuvendi i Kosovës, i cili deri tani kishte dy anëtarë.

Kjo u arrit falë ndihmës së delegacionit shqiptar të kryesuar nga Valentina Leskaj,  dhe disa shteteve të tjera, të cilëve iu desh të punonin kundër lobimit të serbëve për ta penguar pjesëmarrjen e Kosovës.

“Si rezultat i diplomacisë parlamentare, Kosova ka arritur të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europë”, kështu e ka përshëndetur vendimin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me një status në “Facebook”,  duke e cilësuar këtë si një shenjë se Kosova po ecën përpara me hapa të sigurt drejt integrimit në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Nga Strasburgu, anëtari i delegacionit shqiptar nga radhët e LSI-së, Petrit Vasili, tha se vendimi i KiE është historik për Kosovën dhe se drejta e fjalës e Kosovës tashme është një e drejtë e fituar.

Top Channel