Laçi nën ujë, përrenjtë dalin nga shtrati, përmbyten banesa dhe biznese

10/10/2016 00:00

Reshjet e dendura të shiut vijuan gjatë gjithë mbrëmjes së të hënës duke shkaktuar përmbytje të mëdha në qytetin e Laçit. Ujërat e përrenjve që përshkojnë qytetin dolën nga shtrati dhe përmbyten qendrën e Laçit si dhe katet e para të banesave e bizneseve.

Sipas të dhënave të para gjatë 5 orëve kanë rënë rreth 120 milimetra shi. Rruga nacionale në Fushe Milot u bë e pakalueshme, ndërsa rrezik paraqet kanali ujëmbledhës i ujërave të larta. Shtabi i emergjencave është gati për të bërë evakuime.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, që ndodhej për të monitoruar nga afër situatën tha se problem mbetet parashikimi që shirat do vazhdojnë edhe dy ditë të tjera.

“Për fat të keq parashikimi është që të kemi reshje dy ditët në vazhdim kështu që do të përgatitemi për evakuimin e popullit. Ndërkohë kanali i ujërave të larta është plotë ka tendencë për t’u derdhur ujin edhe në tokat përreth duke rrezikuar edhe vendbanimet, prandaj situata do të vazhdojë të jetë nën mbikëqyrje dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me banorët e zonës për një evakuim të mundshëm”, deklaroi Panariti.

Shtabi i emergjencës ka kërkuar edhe ndihmën e policisë dhe ushtrisë për të përballuar situatën.

Top Channel