Kësti i radhës për Greqinë, jo i plotë; Duhet të përmbushë reformat

10/10/2016 00:00

Greqia nuk ka marrë të plotë këstin e radhës nga kreditoret e saj, pas takimit të ministrave të Eurozonës ne Luksemburg të cilët kanë shqyrtuar progresin e programit të reformave të Athinës dhe kanë rënë dakord që të disbursojnë vetëm 1.1 mld nga 2.8 mld euro të ndihmës  duke vlerësuar se qeveria ka përfunduar zbatimin e 15 kushteve të kërkuara nga kreditorët.

“Greqia ka bërë çdo përpjekje dhe vazhdon te bëjë. Grekët po bëjnë shumë më tepër se çfarë kanë bërë për vite  me radhë, kështu që Greqia ka përmbushur pjesën e saj të kontratës dhe kur një vend e bën këtë, atëherë duhet të tregohet edhe solidariteti europian. Gjë që po tregohet natyrisht këtë pasdite”, u shpreh ministri francez i Financave Michel Sapin.

Por megjithë shqyrtimin pozitiv, përsëri skepticizmi i Berlinit që ka sugjeruar se disa reforma nuk janë plotësisht të përfunduara si dhe mungesa e disa raporteve teknike të muajit shtator, ka bërë që pjesën tjetër të këstit Athina ta marrë pas një vendimi të dytë të Eurogrupit në fund të këtij muaji.

Sipas ministrit gjerman të Financave Greqia ka ende nevojë të plotësojë disa pika përsa i përket fondit të privatizimit.

Përmbushja e 15 reformave të kërkuara do të shënojë fazën e përfundimit të vlerësimit të dytë të programit grek që cilësohet si kusht për fillimin e negociatave për reduktimin e borxhit kolosal të vendit, që nëse ndodh do të konsiderohet si një fitore e rëndësishme politike për qeverinë Tsipras.

Top Channel