Shkodra, fitorja tjetër

10/10/2016 00:00

Stadiumi i ri “Loro Boriçi” përveç atmosferës sportive që ka krijuar, ka sjellë në qytetin e Shkodrës vetëm brenda një jave, ku luajti Kroacia dhe Spanja, mbi 30 mijë persona që për futbollin quhen tifozë, por për bizneset janë turistë me mjaft leverdi.

Rrugët, lokalet, restorantet, hotelet e mbushura me tifozë që erdhën për të parë ndeshjen kanë krijuar një atmosferë festive në qytet që Shkodrës i kishte munguar prej kohesh. Por për bizneset ky në fakt është dhe një turizëm sportiv me mjaft interes.

Pronari i një hoteli dhe përfaqësuesi i shoqatës së turizmit në Shkodër, Gjon Dukgilaj shprehet se stadiumi i ri ka krijuar turizmin sportiv në Shkodër.

“Të ardhurat janë shumë në rritje dhe publiciteti i turizmit bëhet shumë shpejt sepse njerëzit kanë kontakte, qëndrojnë më shumë se një ditë”, shprehet Gjon Dukgilaj, përfaqësues i shoqatës së turizmit Shkodër.

Gjatë ditëve të fundit shkodranët pritën mysafir si asnjëherë më parë, nga gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Spanja.

“Nuk dinim asgjë për Shkodrën, por është një qytet i këndshëm. Më e keqja këtu qenka shiu”.

“Shkodra është një qytet i që i plotëson kushtet, si për turizëm, ashtu edhe për organizimin e ndeshjeve”.

Për ekspertët e futbollit, stadiumi i ri në Shkodër ka një efekt tepër pozitiv ekonomik për qytetin.

“Stadiumi i ri i ka dhënë bukuri. Kur shkon aty ke ndenjësen tënde, ke personalitetin tënd”, thotë Hysen Zmijani, specialist futbolli.

Të hënën stadiumi “Loro Boriçi” ka rënë në qetësi, por vetëm një natë më parë burime nga Federata thonë se kanë faturuar gati 600 milionë lekë nga shitja e biletave të stadiumit, i cili ishte në ndeshjen me Spanjën ne kapacitet të plotë shikuesish.

Aq sa pallatet përreth tij mbushën ballkonet me njerëz që thuhet se kanë paguar edhe 10 mijë lekë privatisht për të ndjekur nga to ndeshjen me iberikët.

Një tjetër shenjë sesi futbolli po ringjall ekonominë e përgjumur të qytetit.

Top Channel