Kotzias pret Metën, kreu i Kuvendit flet për çështjen çame, ligjin e luftës dhe historinë

10/10/2016 00:00

Në kuadër të vizitës zyrtare në Athinë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në një takim nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Meta u shpreh se interesat e përbashkëta strategjike duhet të prevalojnë mbi çështjet e trashëguara të së shkuarës dhe qëndrimet e kundërta për çështjen çame nuk duhet të bëhen pengesë për dialog.

Kreu i Kuvendit vuri në dukje dallimet mes dy vendeve për këtë çështje, por u shpreh optimist, që siç tha ai “me durim dhe mënyrë konstruktive, ne kemi mundësi të ecim për gjithë problemet e së kaluarës drejt një zgjidhjeje ku përfitojnë të dy vendet tona dhe të dy popujt tanë”.

“Lidhur me çështjet e së kaluarës unë besoj se të gjithë jemi dakord që ato nuk duhet të shërbejnë si një pengesë për bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve”, tha ai.

Dhe një fushë që Meta beson se janë përafruar qëndrimet janë ato të rishikimit të teksteve të historisë.

“Jemi në një proces shumë pozitiv të përafrimit të qëndrimeve për shumë çështje të ndryshme të trashëguara nga e kaluara, ku do të doja të veçoja sidomos çështjen e rishikimit të historisë dhe të teksteve të historisë. Sepse kjo ka të bëjë me edukimin me një frymë tjetër të fëmijëve tanë dhe të rinjve tanë për të ardhmen, jo për të ndryshuar historinë që ka ndodhur, por për të nxjerrë mësime nga ajo që të mos përsëritet më”, tha Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit preku edhe çështjen e ligjit të luftës dhe shprehu bindjen se abrogimi i tij do të krijonte hapësira për çlirimin e çështjeve të tjera të mbetura pezull. Ilir Meta siguroi Ministrin e Punëve të Jashtme,  Nikos Kotsias se Kuvendi i Shqipërisë mbështet avancimin e punës mes dy qeverive për të çuar në një stad tjetër bashkëpunimin tonë dhe se me mirëkuptim duhet zgjidhur çështjet e trashëguara.

Top Channel