Lenjani operon veshin pas ndërhyrjes me bërryl të Alcantara-s

10/10/2016 00:00

Nëse arbitri i ndeshjes së mbrëmshme Shqipëri-Spanjë do të tregohej më i vëmendshëm, atëherë Thiago Alcantara mund të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë që në pjesën e parë pas ndërhyrjes së rëndë ndaj Lenjanit, i cili u largua i gjakosur nga fusha e lojës, madje përfundoi në spital ku ka operuar veshin.

Lenjani ka folur për Supersport ku tregon dinamikën e episodit. “Gjatë një aksioni në ajër me Thiago Alcantara, të dy kërcyem dhe ai më goditi me bërryl. Mu ça veshi dhe doktori i Kombëtares më tha që nuk mund ta vazhdoja lojën dhe u nisëm menjëherë drejt Tiranës për t’iu nënshtruar operacionit”.

Mesfushori shprehet se kurrsesi nuk donte të largohej nga fusha e lojës, por ishte stafi mjekësore që vendosi për zëvendësimin.

“Isha ende në adrenalinën e lojës dhe nuk e ndjeja aspak dhimbjen. Por, doktori më tha që nuk mund ta vazhdoja lojën, sepse duhej ta ngjisnim sa më shpejt veshin që u ça. Kisha vetëm dhimbje në fillim kur isha në tokë. Kur më thanë se kisha gjatë, i kërkova ta lidhnin që të luaja, por mjekët ma ndaluan.”

Operacionit të kaluar me sukses, Lenjani qetëson të gjithë tifozët e Kombëtares, duke përcaktuar edhe afatin e rikthimit në fushë, edhe pse fjalën e fundit do ta kenë mjekët.

Ermir Lenjani: “Lajmërova menjëherë familjarët, ndërsa isha rrugës për Tiranë. Operacioni kaloi me sukses dhe tani jam shumë mirë. Shpresoj të kthehem më i fort. Mendoj se pas dhjetë ditësh do të kthehem në fushë.”

Për sa i përket ndeshjes, Lenjani thotë se Spanja e meritoi fitoren. “Tashmë duhet të shohim përpara për ndeshjen me Izraelin që është shumë e rëndësishme për ne dhe shpresojmë të fitojmë”, përfundon lojtari i kombëtares.

Top Channel