Kardinali Ernest Simoni: Ishte e papritur! Ndodhesha si besimtar në Vatikan

10/10/2016 00:00

Vetëm pak orë pasi Papa Françesku njoftoi shpalljen e Dom Ernest Simonit si Kardinal, ky i fundit ka treguar sesi e ka përjetuar këtë moment në një intervistë për “Radio Vatikanin”.

“Rastësisht koinçidoi të isha në shesh mes shumë besimtarëve, kur Papa hapi ‘Angelus’-in, lutjen që bën Ati i Shenjtë, dhe dëgjoi emrin Ernest Simoni Troshani. U habita! Po çfarë është kështu? As e besoja. Për mua ishte një ngjarje e papritur, e pabesueshme”, thotë Dom Ernest Simoni.

Për të, veç nderit që i bëhet personalisht, ky është edhe një vlerësim i Selisë së Shenjtë për Shqipërinë.

“Natyrisht që është një nder i madh që më bëhet mua personalisht, por është edhe për opinionin e gjerë, për popullin shqiptar. Ne si popull e kemi për zakon besën, besnikërinë, lutjen dhe përvuajtjen. Toleranca fetare, në rast se mund të quhet, por mund të them dashuria vëllazërore fetare që nuk ka asnjë përqasje tjetër vetëm të duash njëri-tjetrin, katolik, mysliman, ortodoks, një trup i vetëm i bashkuar për lumnin e Zotit”, tha Dom Ernest Simoni.

Papa Françesku shpalli të dielën emërimin e 13 kardinalëve të rinj, të cilët do ta marrin zyrtarisht këtë titull në datën 16 nëntor, në mbledhjen e Këshillit të Kardinalëve.

Top Channel