Berisha shpjegon gabimin që na kushtoi ndeshjen ndaj Spanjës

10/10/2016 00:00

Pas përfundimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Spanjës, ku kuqezinjtë regjistruan humbjen e parë në këto eliminatore, të gjithë njëzëri kanë theksuar atë që u pa në këto 90 minuta: supremacinë e një skuadre si Spanja.

Por, ndërkohë që trajneri Gianni De Biasi mendon se këtë fitore spanjollët e morën dhuratë, lojtarët janë shprehur të dorëzuar përballë nivelit të kundërshtarit të tyre. Portieri Etrit Berisha e shpjegon kështu “dhuratën” e tij.

“Ishte një top i kthyer nga Xhaka. Mendova ta vazhdoj lojën në krahun tjetër. Në atë rast, ishte Berati (Gjimshiti) që më tha ta largoja. Në momentin e fundit vendosa ta largoj topin dhe për fat të keq gabova”, u shpreh Berisha.

Ndërsa Odise Roshi tha: “Në futboll fiton më i miri. Në këtë ndeshje ishte Spanja, e dominoi te gjithë lojën. Ne bëmë tonën”.

Ish-sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe aktualisht shefi i marrëdhënieve me jashtë në Federatën Spanjolle të Futbollit, Eduard Dervishi tregon për emocionet që përjetoi në këtë përballje: “Kjo ka qenë ndeshja më e vështirë e jetës sime, nga ana emocionale ishte shumë e ngarkuar. Spanja bëri lojën e saj, por unë mendoj se Shqipëria luajti mirë. U organizua mirë në mbrojtje, por problemi është që Spanja ka gjithmonë topin dhe kjo e bën më të vështirë”.

Top Channel