Dialogu, Tahiri: Shuarja e strukturave paralele, kusht për Asociacionin

10/10/2016 00:00

Ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri është shprehur këtë të hënë duke thënë se shuarja e strukturave paralele të Serbisë brenda Kosovës është kusht për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për Qeverisjen Lokale, Tahiri tha se tema e vijës administrative mes komunave të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut nuk është diskutuar asnjëherë gjatë dialogut në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Asociacioni do të kontribuojë në integrimin e plotë të serbëve në sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës dhe, me këtë rast, do të shuhen të gjitha strukturat paralele të Serbisë, gjë që është edhe kusht për themelimin e Asociacionit. Me fjalë të tjera, pa u shuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë nuk do të ketë themelim të Asociacionit”, tha Tahiri.

Sipas saj, organet e këtij Asociacioni do të jenë të njëjta me ato të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Por Tahiri mori kritika nga deputeti i partisë opozitare “Nisma për Kosovën”, Zafir Berisha. Ai tha se, Serbia “ka përfituar më shumë se Kosova” në këto bisedime.

“Nuk keni qenë në nivelin e duhur të përgjegjësisë në këto bisedime. Ka pasur mundësi të përmirësohen gabimet, por nuk janë përmirësuar”, ka thënë Berisha. Ai e kritikoi Edita Tahirin edhe për temat, për të cilat është diskutuar në Bruksel.

“Nuk e di pse është dashur të jetë temë bisede me Serbinë themelimi i Asociacionit. Serbia është bërë palë për çështje të brendshme të Kosovës, ndaj dhe Kosova nuk e ka mbrojtur identitetin e vet shtetëror. Keni biseduar me Serbinë për urën e Ibrit sikur të ishte në Serbi, por faktikisht është në Kosovë”, shtoi më tej Zafir Berisha.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Sadri Ferati tha se ka pasur mungesë komunikimi ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit, për temat mbi të cilat është biseduar dhe për ato që nuk është biseduar në Bruksel.

“Për Asociacionin, nuk e dimë nëse është OJQ apo është shtrirje e pushtetit të Serbisë në Kosovë. Derisa ta shoh statutin e Asociacionit, ne po bëjmë politikë. Frika ekziston, sepse ekziston një mospajtim, sepse ndryshe është thënë në Prishtinë e ndryshe në Beograd pas takimeve në Bruksel”, tha Ferati.

Top Channel