Nobel për teorinë e kontratave

10/10/2016 00:00

Britaniku Oliver Hart dhe finlandezi Bengt Holmstrom janë fituesit e Nobelit të sivjetshëm në Ekonomi. Çmimi prestigjioz erdhi si shpërblim ndaj punës së tyre mbi teorinë e kontratave.

Juria mendon se përpjekjet e dyshes kanë hedhur një themel intelektual mbi politikat që duhen ndjekur në fusha si legjislacioni i falimentimit dhe kushtetutat politike.

Njoftimin e bëri Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave. Si hart, ashtu dhe Holmstrom japin prej vitesh mësim në Shtetet e Bashkuara; i pari në Universitetin e Harvardit, ndërsa i dyti në atë të Institutit të Teknologjisë në Massachusets.

“Ekonomitë moderne mbahen në këmbë nga kontratat”, ishte argumenti zyrtar i dhënies së çmimit prestigjioz dhe, sa i takon mënyrës së funksionimit të tyre, instrumentet e reja teorike të zhvilluara nga Hart e Holmstrom konsiderohen tepër të vyera.

Ato mund të përdoren, për shembull, për të vlerësuar pagën e drejtuesve të lartë në bazë performance.

“E gjithë kjo është e një rëndësie kyçe, sepse hulumtimet e Hart dhe Holmstrom na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë të kuptojmë këto lloj kontratash dhe institucionesh”, tha Per Stromnbers, kryetar i Komitetit të Nobelit në Ekonomi.

Studiuesit, që bashkë me nderimet ndajnë mes tyre edhe çmimin prej gati 750 mijë paundësh, patën një konkurrencë të fortë nga ish-kryeekonomisti i Bankës Botërore Paul Romer, të cilin shumë e konsideronin si favoritin e qartë të kësaj gare.

Top Channel