PD: Droga dhe krimi po cënojnë ekuilibrat e shoqërisë në Shqipëri

10/10/2016 00:00

Përhapja masive e drogës në Shqipëri po cënon ekuilibrat social-ekonomikë jo vetëm të shqiptarëve por të mbarë rajonit, ndaj duhet një reagim i fortë kundër trafiqeve të paligjshme.

Ky ishte mesazhi që deputetja Mimoza Hajdarmataj dha në forumin e deputetëve të vendeve të Ballkanit perëndimor, me temë “Forcimi i legjislacioni dhe shkëmbimi i eksperiencave me deputetët e BE-së”.

Deputetja demokrate u shpreh se rajoni duhet të rrisë bashkëpunimin në ekonomi dhe në forcimin e demokracisë, ndërsa theksoi se në Shqipëri, Parlamenti dhe institucione të tjera janë kapur nga interesat të krimit dhe korrupsionit.

Ajo tha gjithashtu se, në Parlament, me forcën e kartonave, po kalojnë ligje çnjerëzore dhe në shkelje të plotë Kushtetutës, duke iu referuar rastit më të fundit të importit të mbetjeve.

“Prej tri vitesh shqiptarët nuk po gjejnë asnjë zgjidhje të halleve të tyre nga qeveria, por përkundrazi, papunësia, varfëria dhe dëshpërimi janë bërë normë e jetës së tyre dhe shpëtimi mbetet vetëm azili në Perëndim”, tha mes të tjerash Hajdarmataj.

“Opozita me grupin e saj parlamentar e ka në krye axhendës zgjidhjen e krizës përmes një programi konkret ekonomik, forcim të tregut, ulje të taksave dhe luftë kundër korrupsionit”, shtoi ajo.

Top Channel