Pique humbet durimin: Tërhiqem nga kombëtarja pas Botërorit

10/10/2016 00:00

Gerard Pique befasoi të gjithë në përfundimin e sfidës mes Shqipërisë dhe Spanjës. Qendërmbrojtësi i “La Roja”-s deklaroi se Botërori i Rusisë në vitin 2018 do të jetë aktiviteti i fundit që do të luajë me fanelën e përfaqësueses spanjolle.

Gjithçka ndodhi pas polemikave që u hapën në median spanjolle për shkak të fanelës së futbollistit 29-vjeçar. Në rrjetet sociale tifozë të ndryshëm publikuan një foto ku shfaqej Pique me mëngë të shkurtuara dhe menjëherë nisën akuzat në drejtim të tij për heqje të ngjyrave të flamurit spanjoll nga mëngët. I pyetur në lidhje me këto polemika të reja në drejtim të tij, Pique deklaroi se ndihet i lodhur nga e gjithë kjo histori.

“Botërori i Rusisë do të jetë i fundit që do të luaj me përfaqësuesen spanjolle dhe shpresoj që ta përjetoj i qetë. Nuk është një vendim i marrë sot, por i menduar mirë. Gjithnjë jam përpjekur të jap maksimumin dhe besoj se askush nuk dyshon për këtë. Ka njerëz që mendojnë se është më mirë që të mos jem pjesë e kombëtares. Më pëlqen projekti i Lopetegui-t dhe nuk kam ndërmend ta lë në baltë. E nisëm këtë rrugëtim bashkë dhe do ta mbyllim bashkë”, tha Pique.

Gerard Pique, prej më shumë se një viti është vënë në shënjestrën e një pjese të tifozerisë spanjolle. Gjithçka nisi nga një deklaratë e futbollistit gjatë festimeve për 3 titujt e fituar në vitin 2015, teksa ironizoi festën e Ronaldos me këngëtarin kolumbian Kevin Roldan pas humbjes turpëruese në derbin me Atletikon 4-0. Që nga ai moment, qendërmbrojtësi i Barcelonës është fërshëllyer në stadiumet ku ka luajtur me përfaqësuesen spanjolle. Pas kësaj, çdo veprim i tij në ndeshjet me Spanjën është vënë nën lenten zmadhuese të një pjese të tifozëve, pavarësisht kontributit që ai ka dhënë dhe jep për këtë skuadër.

Top Channel