Si do ndryshojë kryeqyteti, prezantohet plani i ri “Tirana 2030”

10/10/2016 00:00

Tirana 2030 parashikohet të jetë me 7 qendra kryesore dhe 5 unaza, sipas planit të ri rregullues. Pas konsulatve publike në çdo njësi administrative me arkitektë dhe urbanistë e qytetarë, arkitekti italian Stefano Boeri dhe ekipi i tij i kanë bërë prezantimin final.

“Kemi propozuar 13 strategji dhe 10 rregulla kryesore për të arritur në rezultatin që duam. Po përpiqemi të ruajmë zhvillimin urban, të ribalancojmë marrëdhënien ndërmjet zonës urbane dhe asaj suburbane, duke i dhënë rëndësi gjelbërimit. Duam të ndërtojmë një metropol kaledioskop me një lëvizshmëri me në qendër këmbësorin”, deklaroi Boeri.

Rregullat e ndërtimit me planin e ri pritet të ndryshojnë. “Bashkia nuk është zyrë projektimi për një grup të fortësh, që janë ndërtuesit. Vetëm për një grup milionerësh që, me gjithë respektin, janë ata që përfshihen në zgjedhje, që kanë media, kanë akses e influencojnë gjykatat. Kemi ndryshuar filozofinë”, deklaroi Veliaj.

Tirana e ardhshme parashikohet të jetë me ndërtime të larta. “Ka shumë njerëz që thonë ‘unë i urrej kullat’. Nëse kemi një hapësirë 500 metra katrorë, është më mirë që dikush ta zërë këtë hapësirë vetëm me dy kate? Apo mos është më inteligjente që të përdorim vetëm 100 metra katrorë, ta bëjë dhjetëkatësh, sepse ajër kemi dhe tokë nuk kemi, dhe gjithë hapësirën tjetër t’ia lërë publikut dhe e administron bashkia. Problemi më i madh që kemi është ai me lagështirën, sepse termoizolimi është skandal. Ne duhet të japim një bonus nëse dikush promovon termoizolim të shkallës së parë”, tha Veliaj.

Një pikë e fortë e planit të Boerit janë 5 unazat ku dy prej tyre do t’i dedikohen këmbësorëve dhe transportit publik. Kryeqyteti do të rrethohet nga një pyll orbital dhe brenda tre viteve pritet të mbillen 2 milionë pemë. Tirana do të lidhet me portin e Durrësit dhe aeroportin me rrugë hekurudhore. Parashikohet gjithashtu të ketë një zonë të përcaktuar industriale.

“Bashkia në këtë moment po konsideron aplikimin për të hapur një zonë ekonomike në Tiranë dhe për të caktuar qartë se ku do jenë zonat që do prodhojnë, ato për manifakturë dhe ato rezidenciale”, tha Veliaj. Plani i ri rregullues pritet të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak në javën e parë të muajit nëntor.

Top Channel