Gjermani, ndalohet i dyshuari për terrorizëm

10/10/2016 08:10

Personi që paralizoi të shtunën qytezën gjermane të Chemnitzit ka rënë në prangat e policisë. Pas dy ditësh gjuetie të vërtetë njerëzore, forcat gjermane të rendit arritën ta gjejnë e ta ndalojnë sirianin, që dyshohej për planifikimin e një sulmi me bombë.

Jaber al-Bakr, i mbërritur në Gjermani si refugjat, u ndalua në një apartament në lindje të qytetit të Leipzigut. Ai kishte kërkuar ndihmën e një siriani tjetër, i cili kishte njoftuar policinë. Banorët e Chemnitzit u ndienë të lehtësuar nga lajmi.

“Pata shumë frikë nga kjo që ndodhi. Por është një gjë e mirë që i dyshuari u arrestua, e aq më tepër nga një njeri që vinte prej vendit të tij. Kjo është për t’u lavdëruar”, tha një banore.

Forcat e sigurisë u vunë në gjurmët e 22-vjeçarit, pasi në apartamentin ku ai qëndronte u gjetën eksplozivë. I riu arriti të largohej kur policët qëlluan një herë në ajër për paralajmërim.

Jaber Al-Bakr kishte hyrë në vend shkurtin e vitit 2015 dhe në nëntor kishte fituar të drejtën e qëndrimit. Disa raporte në mediat vendase tregojnë se ai kishte lidhje me Shtetin Islamik.

Mediat gjermane bënë me dije se tre persona të tjerë kanë rënë gjithashtu në pranga, pasi dyshohet se kanë pasur lidhje me Jaber al-Bakr dhe mund ta kenë ndihmuar në planin e tij. Policia gjermane është treguar e kursyer në detaje për shkak të hetimit që vazhdon, por, sipas mediave, i dyshuari ishte në hapat finalë të komplotit të tij terrorist dhe autoritetet nuk mund të prisnin, pasi ai duhej ndalur.

Top Channel