Bylykbashi: “Vetting”-u i Europës rrëzoi Ramën

09/10/2016 00:00

Në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit të “vetting”-ut, nënkryetari demokrat i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, paralajmëroi se kryeministri Edi Rama do të bëjë çdo përpjekje për ta marrë procesin nën kontroll.

Sipas Bylykbashit vullneti i kryeministrit për të kapur drejtësinë u konfirmua pak ditë më parë nga Këshilli i Europës, i cili refuzoi në bllok tre kandidatët e Shqipërisë për anëtar të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Sipas Këshillit të Europës përzgjedhja e kandidatëve të Shqipërisë nuk u bë në përputhje me standardet e Strasburgut.

“Kur Edi Rama shkel rregullat e Këshillit të Europës, askush nuk duhet të ketë iluzion se çfarë do të prodhojë ‘vetting’-u i kryeministrit. Partia Demokratike e ankimoi ligjin e ‘vetting’-ut në Gjykatën Kushtetuese të hënën e kaluar me argumentin se ligji i jep qeverisë kompetenca për të vendosur nën kontroll verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, deklaroi Bylykbashi.

Top Channel