PD: Veliaj i zhytur në tendera korruptivë me fitues të paracaktuar

09/10/2016 00:00

Kreut i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, në një deklaratë për mediat tha se Erjon Veliaj është përfshirë në një valë tenderash të dyshimtë, me shkelje të rënda ligjore që janë afera të pastra korruptive.

“Media ka zbuluar se Veliaj jo vetëm i bën tenderat pa garë, pa konkurrim, por del se fituesi i paracaktuar prej tij ka falsifikuar dokumentet. Prokuroria ka nisur hetimet për këtë rast, por një zbardhje e plotë e rrethanave do të ishte në interes të publikut, për të kuptuar se si një operatori me dokumente false i jepen 1 miliardë e 200 milionë lekë”, deklaroi Olli.

Sipas tij, prokurimi është bërë me 22 shkurt të këtij viti dhe i është dhënë firmës “Ecologica Albania”, me negocim, pa tender, pa garë dhe pa shpallje.

“I gjithë fondi i jepet mikut të Erion Veliajt edhe pse është shumë më tepër se fondet e nevojshme për pastrimin e asaj zone të Tiranës. Miku i Erionit merr taksat e qytetarëve të Tiranës dhe paraqitet në bashki me letra false”, vijoi Olli.

Ai tha se deri tani prokuroria ka heshtur për dhjetëra afera të Veliajt, të denoncuara me fakte dhe prova, por se tani është koha për një hetim të plotë ku të dalin të gjitha përgjegjësitë e Erion Veliajt që sipas tij e ka kthyer bashkinë në pazar tenderash me vjedhje të drejtpërdrejt, e tani dhe në shërbim të mafias së plehrave.

“I bëjmë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që janë në darën e taksave të larta të Veliajt duhet të bashkohen për t’i treguar vendin këtij hajduti që abuzon kaq hapur me paratë e djersës dhe sakrificës suaj”, përfundoi Olli.

Top Channel