Izrael, dy të vdekur e disa të plagosur në Jeruzalem. Eliminohet agresori

09/10/2016 00:00

Një agresor me origjinë arabe qëlloi dhe plagosi disa njerëz në Jeruzalem të dielën, kur hapi zjarr nga makina e tij. Mësohet se agresori i armatosur qëlloi kundër dhjetëra personave, që po prisnin në një stacion tramvaji, vetëm pak metra larg një rajoni policie.

Të paktën dy prej të plagosurve, një oficer policie dhe një grua u raportuan në gjendje kritike, e më pas humbën jetën. Pasi hapi zjarr, agresori i armatosur tentoi të largohej me shpejtësi nga vendngjarja, por u ndoq nga forcat e rendit, që iu përgjigjën të shtënave dhe e eliminuan atë fizikisht.

Ky është sulmi i radhës në Izrael, ku prej muajsh tensioni është shumë i lartë për shkak të incidenteve të tilla. Gjatë vitit të fundit, të paktën 220 palestinezë janë vrarë në incindente të dhunshme në Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës. Prej tyre, 149 janë identifikuar nga autoritetet si agresorë, ndërsa të tjerët janë vrarë në protesta.

Agresorët palestinezë, shumë prej të cilëve veprojnë vetëm dhe me armë të thjeshta, kanë vrarë të paktën 33 izraelitë dhe dy turistë amerikanë. Sipas autoriteteve izraelite, dhuna nxitet nga komentet e shpeshta të zyrtarëve palestinezë, që publikohen në televizone apo mediat sociale.

Ndërsa në krahun tjetër, udhëheqësit palestinezë thonë se, palestinezët veprojnë nga dëshpërimi për dështimin e bisedimeve të paqes dhe zgjerimin e kolonive izraelite në tokat e pushtuara.

Top Channel