Greqi, vdes gjenerali i juntës. Krahu i djathtë i Papadhopoulos

09/10/2016 00:00

Stilianos Pattakos, i njohur si një prej figurave kryesore të juntës ushtarake të kolonelëve në Greqi, që erdhi në fuqi me grusht shteti në vitin 1967, ka vdekur në shtëpinë e tij mbrëmjen e së shtunës, një muaj para se të mbushte 104 vjeç.

Ai ka qenë krahu i djathtë i diktatorit Georgios Papadhopoulos dhe është emëruar nga ai si ministër i Brendshëm dhe si zëvendëskryeministër në atë periudhë të errët të historisë greke.

Ai ka mbetur në histori si “njeriu me mistri”, pasi kryente përurimet e kësaj qeverie. Pas rënies së juntës, ai u arrestua në tetor të vitit 1974 dhe u dënua me vdekje me akuzat për rezistencë dhe tradhti të larte ndaj atdheut.

Por dënimi i tij u zbut në burgim të përjetshëm dhe në vitin 1990 u la i lirë për arsye shëndetësore.

I pyetur për veprat e tij dhe mijëra tortura barbare që ka urdhëruar për aktivistët e së majtës greke, e konkretisht për një prej oficerëve të ushtrisë, Spiro Moustakli, në një intervistë televizive të viteve të fundit ai është shprehur i papenduar duke thënë: Mirë ia bëmë!

Ngushëllime për vdekjen e tij nuk ka ngurruar të japë deputeti i Agimit të Artë, Ilias Panajotaros, me një postim në “Twitter” ku thotë: Rrugë të mbarë gjeneral. Në Greqinë e vitit 2016, gjeneralët vdesin në një dhomë të vogël dhe të varfër, kurse mashtruesit dhe hajdutët e shtetit jetojnë dhe mbretërojnë.

Top Channel