Turqi, vriten nga autobomba 8 ushtarë. Fajësohet PKK-ja

09/10/2016 00:00

Të paktën 8 ushtarë turq humbën jetën në juglindje të vendit, si pasojë e një sulmi me autobombë.

Sipas agjencisë turke të lajmeve “Dogan”, sulmi në bazën ushtarake “Durak” në rajonin Semdinli të provincës Hakkari, është vepër e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Militantët e PKK-së e kanë hedhur në erë automjetin me eksploziv gjatë një kontrolli rutinë mëngjesin e së dielës.

Shtatë ushtarë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Duket se shkak për këtë sulm janë bërë aksionet, që forcat turke të sigurisë kanë ndërmarrë kundër anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është nxjerrë jashtë ligji në këtë provincë.

“PKK”-ja, e cila nisi kryengritjen separatiste në vitin 1984, është e listuar si “organizatë terroriste” nga Turqia, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Bashkimi Europian.

Armëpushimi dyvjeçar mes grupit dhe autoriteteve turke u prish në korrik të vitit të kaluar, për pasojë, dhuna është përshkallëzuar në nivele tepër të larta, që nuk ishin parë që prej konfliktit më të përgjakshëm të viteve ’90.

Top Channel