Durrës, kontrabandë me mallra të licencuara, sekuestrohet një sasi ilaçi “Diazepam”

09/10/2016 00:00

Efektivët e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Durrës mbrëmjen e së shtunës kanë goditur një rast kontrabande me mallra të licencuara, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme ilaçesh të llojit “Diazepam”.

Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar në flagrancë shtetasi Arsim Gashi. 43-vjeçari është banues në Norvegji, me shtetësi norvegjeze dhe kombësi shqiptare.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të bashkëshortes së tij, F.G. 38-vjeçare, gjithashtu banuese në Norvegji, me shtetësi norvegjeze dhe kombësi shqiptare.

Çifti, rreth orës 21: 00, është paraqitur pranë kabinave te kontrollit të Policisë Kufitare në Portin e Durrësit për t’u imbarkuar në tragetin e linjës Durrës- Bari, me mjetin tip Ford me destinacion përfundimtar Norvegjinë.

Efektivat e Policisë, bazuar në disa dyshime e kanë kaluar mjetin për kontroll më të hollësishëm dhe pas ekzaminimit u konstatuan disa pjesë të dyshimta në makinë tek pjesa e parakolpit dhe mbrapakolpit.

Pas kontrollit të kryer u vu re se në këto pjesë gjendeshin 3 komardare gome të izoluara me tel, brenda të cilave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale një sasi e konsiderueshme ilaçesh të llojit “Diazepam” në total 3 030 tableta, 45.450 kokrra.

Top Channel