Masakra në Jemen, sauditët do të hetojnë “vetveten”

09/10/2016 00:00

Më shumë se 140 njerëz u vranë dhe mbi 500 të tjerë u plagosën, si pasojë e sulmeve ajrore ndaj një funerali në kryeqytetin jemenas Sanaa. Shifrat konfirmohen nga OKB-ja, e cila dënoi ashpër sulmin e tmerrshëm.

Qeveria e drejtuar nga rebelët Huthi në Jemen akuzoi koalicionin e udhëhequr nga sauditët për sulmin, një akuzë që Arabia Saudite e mohon. Por, Shtetet e Bashkuara bënë me dije se po rishikojnë mbështetjen që i ofrojnë koalicionit, duke thënë se bashkëpunimi me sauditët nuk është një “çek i bardhë”. Sauditët ndërkohë kanë nisur një hetim të tyrin mbi këto sulme.

Arabia Saudite mbështet qeverinë e Jemenit që është njohur nga komuniteti ndërkombëtar, e prej muajsh bombardon rebelët Huthi, që kanë marrë kontrollin e kryeqytetit Sanaa, ku dhe kanë formuar qeverinë e tyre.

Që kur nisi lufta në vitin 2014, mijëra civilë janë vrarë. E meqë sulme ajrore në Jemen kryen vetëm Arabia Saudite dhe aleatët e saj rajonalë, nuk është e vërshtirë të gjesh fajtorin për masakrën e fundit, megjithëse sauditët e mohojnë këtë.

Raketat e lëshuara nga ajri goditën turmën e mbledhur për funeralin e babait të një prej krerëve të rebelëve Huthi, pikërisht ministrin e Brendshëm, Galal al-Rauishan.

Sipas Kryqit të Kuq, vendi ku ishin grumbulluar njerëzit për funeralin u godit nga disa raketa radhazi dhe nuk mund të bëhet fjalë për një gabim. Arabia Saudite është akuzuar shpesh së fundmi për viktimat civile në Jemen, ku duket se nuk po mundet që të dëmtojë mjaftueshëm rebelët, për të kthyer në kryeqytet qeverinë e presidentit Abdrabbuh Mansour Hadi, të cilën mbështet.

Top Channel