Donald Trump: Asnjë shans të tërhiqem

08/10/2016 00:00

“Shanset që unë të largohem janë zero”. Me këtë koment, Donald Trump e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga gara presidenciale pas publikimit të një videoje të regjistruar në 2005-n, ku tregonte sesi u afrohet grave për t’i kërkuar favore seksuale.

Presioni mbi të ka qenë i madh që prej shpërthimit të skandalit, por miliarderi tregoi se nuk është nga ata që heqin dorë. Nuk kam për t’u tërhequr, nuk jam tërhequr kurrë gjatë gjithë jetës sime. Por këto 24 orët e fundit kanë qenë padyshim interesante, shkroi ai në “Twitter”. Më herët, miliarderi kërkoi publikisht ndjesë për komentet denigruese ndaj femrave.

“E kam thënë, e kisha gabim, kërkoj ndjesë. Premtoj të jem një njeri më i mirë se aq”, tha Trump.

Në videon e bërë publike nga “Washington Post”, manjati dëgjohet duke i thënë moderatorit televiziv Billy Bush se “kur je i famshëm, me gratë mund të bësh çfarë të duash, ato ta lejojnë vetë”.

Komentet Trump i ka bërë në një bisede private, në prani të vetëm disa personave në autobusin që po e çonte në emisionin televiziv “Access Hollywood”.

Trump, ndërkohë kishte mikrofonin në trup. Në regjistrim ai thotë: “Gratë e bukura më tërheqin menjëherë, si me magnet dhe filloj t’i puth. Nuk më pritet, i puth menjëherë”.

E pastaj vazhdon me të tjera pohime denigruese sesi u kërkon grave favore seksuale. Kandidati republikan u mbrojt duke thënë se kjo ishte një bisede private e bërë shumë kohë më parë. Bill Clintoni tha ai, i ka abuzuar realisht gratë.

Ngjarja ka bere jehonë në median sociale, duke u kthyer në armën më të fuqishme që ka patur në dorë deri tani Partia Demokrate për të bindur gratë e pavendosura dhe votues të tjerë që të mbështesin zonjën Clinton.

Top Channel