Takimet me FMN, Ahmetaj: Buxheti 2017, për reformat dhe rritjen e pagave

08/10/2016 00:00

Në Shtetet e Bashkuara mbahet takimi vjetor i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj në takimet dhe aktivitetet ku ka marrë pjesë ka prezantuar rritjen ekonomike dhe reformat e qeverisë shqiptare. Zoti Ahmetaj ka qenë në një lidhje telefonike me edicionin qendror të lajmeve të Top Channel nga Uashingtoni.

TCH: Zoti Ahmetaj, nga takimet që ju keni pasur, ç’qëndrim ka FMN në lidhje me buxhetin dhe paketën fiskale 2017, kur dihet që viti i ardhshëm do të jetë një vit elektoral?

Arben Ahmetaj: E rëndësishme në sytë e Fondit dhe Bankës Botërore është konfirmimi i konsolidimit të rritjes ekonomike. Ekonomia shqiptare konsiderohet një ekonomi që e ka lënë pas krizën e viteve 2008-2013 dhe ka hyrë në një trajektore rritjeje të konsoliduar dhe shifrat e fundit të INSTAT e konfirmojnë këtë trend. Kjo na bën që në negociatën me FMN, sa i takon kuadrit makro dhe buxhetit të 2017, të kemi një avantazh duke iu referuar vërtetësisë së rritjes prej 3.4 për qind të këtij viti dhe përshpejtimit të rritjes vitin tjetër. Për vitin tjetër buxhetor jemi afër dakordësisë për të financuar një sërë reformash, si atë në drejtësi, atë territoriale, atë në administratën publike dhe rritjen e pagave dhe pensioneve. Kuptohet, duke ruajtur parametrat makro-fiskalë, që do të thotë uljen e borxhit publik në minimalisht 1 për qind të GDP-së dhe ruajtjen e një balance fiskale pozitive. Pra, është përgjegjshmëria e qeverisë për të mos krijuar asnjë cent borxh të ri. Kjo do të thotë se për herë të parë në 20 vjet në një vit elektoral qeveria është e përgjegjshme jo vetëm të ruajë kuadrin fiskal, të ulë borxhin dhe të rrisë ekonominë, por mbi të gjitha të investojë për reformën në drejtësi dhe të rrisë pagat dhe pensionet.

Top Channel