De Biasi: Shqipëria, “autobus pa rrota” për të ndalur Spanjën

08/10/2016 00:00

“Spanja të detyron ta parkosh autobusin, por ne do e vendosim pa rrota për të mos pësuar!” Kështu e mbylli De Biasi konferencën për mediat të mbajtur një ditë para ndeshjes me Spanjën në “Loro Boriçi”, ishte me humor, por flet shumë për lojën e ditës së nesërme.

Po ashtu si edhe në intervistat e dhënë më herët për media të ndryshme, De Biasi është shprehur se është i ndërgjegjshëm për forcën e kundërshtarit, por edhe limiteve të ekipit të tij, megjithatë shprehet i vendosur se skuadra do të bëjë maksimumin në fushën e lojës për të marrë një rezultat sa më pozitiv ndaj një kundërshtari mjaft të vështirë si Spanja.

“Diferencat janë të mëdha, por ne i njohim limitet tona. Ne do të dalim në fushë dhe do të luajmë ndeshjen tonë. Edhe ndaj Portugalisë situata ishte thuajse e ngjashme, por në fund ne arritëm të befasojmë duke fituar”.

Për sa i përket formacionit, De Biasi nuk ka dashur të zbulojë shumë duke u shmangur pyetjes se si do t’i vendosë lojtarët në fsuhën e lojës ndaj Spanjës, teksa skuadra vjen pas një ndeshje ndaj Lihtenshtejhnit ku luajti në sulm. Ai tha se futbolli nuk është vetëm çështje skemash. “Futbolli është çështje fushe, jo vetëm çështje skemash. Ne do të ndërthurimit të gjithë elementet që kemi në dispozicion dhe do të kërkojmë një rezultat maksimal nga ky takim”, tha De Biasi.

Gazetarët spanjollë e pyetën trajnerin e kombëtares sonë në lidhje me mungesën e Sadikut dhe sa do të ndikojë ai në këtë takim. De Biasi e vlerësoi Sadikun, por shtoi se do të mundohet ta zëvendësojë me lojtarët e tjerë mungesën e tij.

“Sadiku është mjaft i rëndësishëm për ne. Ai këtë e tregoi edhe në ndeshjen e fundit ndaj Maqedonisë duke shënuar golin e parë, por i shënoi edhe Villarealit në Europa League. Megjithatë ne do të bëjmë maksimumin për ta zëvendësuar atë”, tha De Biasi, i cili foli edhe për Kukelin, ku tha se ende nuk e ka të qartë nëse do ta ketë në dispozicion mesfushorin për ndeshjen e nesërme pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen ndaj Lihtenshtejnit.

Top Channel