Trajneri i Spanjës: Shqipëria e fortë, por nuk e kemi frikë

08/10/2016 00:00

Julen Lopetegui, trajneri i Spanjës, së bashku me mesfushorin Thiago Alcantara dhe portierin De Gea dolën në konferencën për mediat një ditë para ndeshjes që do të zhvillohet në “Loro Boriçi” ndaj Shqipërisë.

Duket se për spanjollët mbetet çuditërisht problem gjendja e fushës. Për këtë erdhi edhe një pyetje nga ana e një prej gazetarëve spanjollë për trajnerin. Megjithatë, Lopetegui nuk dha një përgjigje konkrete, duke thënë se tashmë është përcaktuar që ndeshja do të luhet në atë stadium dhe ekipi duhet të japë maksimumin për të arritur rezultat.

Për sa i përket kombëtares kuqezi, trajneri i spanjollëve u shpreh se e respekton kundërshtarin, por nuk ka frikë nga ai.

“Nuk kemi frikë nga Shqiperia, por e respektojmë si skuadër. Ata janë rritur shumë gjatë viteve të fundit dhe këtë e treguan edhe në Euro 2016, por edhe gjatë eliminatoreve të saj, ku arritën në ndeshjen e parë të fitonin në transfertë ndaj Portugalisë”, tha ai.

Lopetegui u pyet nëse ka presion mbi kombëtaren e tij pas barazimit ndaj Italisë dy ditë më parë. Ai tha se një gjë e tillë nuk ekziston pasi eliminatoret janë të gjatë, megjithëse pranoi se ndeshja e ditës së nesërme ndaj Shqipërisë pritet të jetë shumë e luftuar dhe e vështirë për skuadrën që ai drejton.

Top Channel