Kombëtarja e 19-vjeçarëve i shënon dy gola Gjermanisë, por humbet

08/10/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare e 19-vjeçarëve pësoi humbjen e dytë  në fazën eliminatore të Europianit të vitit 2017 të kësaj kategorie. Këtë radhë skuadra e drejtuar nga Arjan Bellai u mposht nga Gjermania me rezultatin 3-2.

19-vjeçarët gjermanë e mbyllën pjesën e parë me rezultatin e pastër 3-0. Kohlert ishte ai që hapi serinë e golave për Gjermaninë në minutën e 8. Skuadra gjermane priti 25 minuta për të gjetur golin e dytë, të cilin e shënoi me anë të Shipnoskit. Në fundin e pjesës së parë portieri Selmani u thye për të tretën herë, këtë radhë nga Baku.

Kombëtarja shqiptare u zgjua në 13 minutat e fundit të sfidës, teksa i çoi shifrat në 3-1 falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Zeka. Pak minuta më vonë po ky futbollist shënoi një tjetër gol në portën gjermane për të shkurtuar diferencën në 3-2, që ishte edhe rezultati përfundimtar i kësaj sfide.

Pas 2 ndeshjeve të para të kualifikueseve të Euro 2017 për kategorinë U19, Grupin 4 e kryeson Gjermania me 6 pikë, po aq sa edhe Irlanda, e cila shkatërroi Gjibraltarin 5-0. Shqipëria dhe Gjibraltari nuk kanë asnjë pikë në vendin e tretë dhe të katërt.

Top Channel