Wikileaks publikon fjalimet private të Hillary Clinton

08/10/2016 00:00

Wikileaks publikoi fjalimet e transkriptuara private të kandidates demokrate për Shtëpinë e Bardhë Hillary Clinton në njërin prej të cilëve ish kryediplomatja citon bankierët si njerëzit më të përshtatshëm për të ndihmuar në reformimin e sektorit financiar të vendit.

Clinton, po kështu, shfaqet favorizuese e politikës: “tregti e hapur, kufij të hapur”. Kundërshtari i saj kryesor, republikani Donald Trump e ka deklaruar me kohë se rivalja e vet e madhe kërkon të rinegociojë marrëveshjet tregtare kyçe.

Vetë Clinton e kishte refuzuar publikimin e transkriptimeve që datojnë në vitet 2013 dhe 2014. Njeriu me të cilin ajo luftoi për nominimin demokrat, Bernie Sanders vazhdimisht ia kishte kërkuar nxjerrjen e teksteve të fjalimeve për të cilat Clinton besohet të ketë fituar rreth 26 milionë dollarë.

Ndër komentet më pikante të shkëputura prej tyre ishin pikërisht ato të bëra gjatë një eventi të sponsorizuar nga “Goldman Sachs” tetorin e 2013-s, ku politikania demokrate fliste për nevojën e konsultimit me Wall Street-in lidhur me reformën financiare. Nxjerrja e këtyre informacioneve erdhi disa orë pasi Shtetet e Bashkuara akuzuan zyrtarisht Rusinë për sulme kibernetike që kanë pasur për qëllim influencimin e zgjedhjeve presidenciale.

Top Channel