Për të nxitur leximin

08/10/2016 00:00

Kryeqyteti ka rreth 11 biblioteka lagjeje, 8 prej të cilave janë funksionale, por pavarësisht kësaj, nuk janë të shumtë qytetarët që i frekuentojnë. Amortizimi ndër vite i godinave dhe fasada që vështirë duken, ka bërë që një pjesë e mirë e qytetarëve të mos dinë se kanë një bibliotekë në lagjen e tyre.

“Nga një studim që kemi bërë ka rezultuar se një pjesë e mirë e qytetarëve kanë dijeni për bibliotekën e lagjeve, ata që ndodhen rreth saj, por ka edhe biblioteka që nuk kanë një brandim të mirë të jashtëm që ta bëjë atë të dukshme si bibliotekë lagjeje, ndaj po punojmë që informacioni të kalojë së pari nëpër të rinjtë në gjimnaze”, u shpreh Aspasiana Kerxhalli, drejtoreshë e Rinisë në Bashkinë e Tiranës.

Janë rreth 7 mijë tituj që disponon një bibliotekë lagjeje, ku 50% të tyre e zënë titujt e rinj dhe pjesën tjetër letërsia e para viteve ’90-të, ndërsa anëtarësimi nga njëra bibliotekë në tjetrën varion nga 400-800 anëtarë.

“Ne kemi rreth 800 anëtarë. Mosha më e frekuentuar janë të rinjtë gjimnazistë dhe mosha e tretë, por edhe mosha e mesme që janë pa punë”, tha Olta Morçka, punonjëse e Bibliotekës nr. 9.
Për të nxitur më shumë leximin, veçanërisht tek të rinjtë në këtë muaj dedikuar librave, është menduar një formë e re.

“Salla do të kthehet në një qendër multifunksionale pa humbur funksionin primar të librit duke zhvilluar edhe aktivitete të tjera si ekspozita apo promovime libri e duke qenë se jemi në muajin tetor, të shpallur si muaji i leximit do të kemi edhe natë poezie apo prozë”, vijoi Kerxhalli.

Top Channel