Gjermani, policia në kërkim të një terroristi sirian; lidhje me ISIS

08/10/2016 00:00

Forca të policisë gjermane po kryejnë kërkime për një shtetas sirian që i shpëtoi një operacioni anti-terror të kryer në qytezën Hemnitc.

Bëhet fjalë për një të ri 22-vjeçar, i identifikuar me emrin Jaber Albakr. Sipas agjencisë së lajmeve “DPA”, që citon burime pranë forcave të sigurisë, 22-vjeçari rezulton i lidhur me Shtetin Islamik.

Personi dyshohet se kishte planifikuar një atentat me eksploziv në një aeroport të Gjermanisë dhe autoritetet federale kanë lëshuar ndaj tij një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Ndërkohë, në apartamentin e tij është gjetur një sasi e konsiderueshme eksplozivi, që ka shtyrë policinë të marrë masa evakuimi.

Lajmin e kanë bërë të ditur vetë forcat e rendit përmes një njoftimi në rrjetin social Twitter. Në kuadër të kërkimeve, në Hemnitc janë ndaluar 3 persona, 2 në zonën e stacionit qendror dhe 1 në qendër të qytetit.

“Janë persona në kontakt, ose të njohur me të dyshuarin kryesor që kemi mundur ta identifikojmë gjatë hetimeve”, ka deklaruar një zëdhënës i policisë në një video të postuar në Facebook.

Megjithatë, oficeri nuk ka dhënë detaje të sakta mbi këto raporte mes të arrestuarve dhe Jaber Albakr dhe as mbi identitetin e tyre.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel