QKU, Rama: Në pranverë gati shërbimi në kohë reale

08/10/2016 00:00

Shërbimi i Urgjencës Mjekësore do të ketë një administrim në shkallë vendi me ngritjen e qendrës kombëtare të urgjencës. Në godinën e re, ku janë investuar 143 milionë lekë për ndërtimin dhe pajisjet teknologjike, do të instalohet sistemi dixhital i marrjes së urgjencave të çdo lloji nëpërmjet një numri telefonik të unifikuar, pa pagesë.

“Brenda pranverës së ardhshme, Qendra Kombëtare e Urgjencave Mjekësore do të jetë plotësisht funksionale. Ky qendërzim e sjell shërbimin në kohë reale pranë qytetarit në nevojë. Garantohet një shpejtësi 10-15 minuta nga çdo pikë ku flota e urgjencës do të jetë e shpërndarë, në çdo pikë ku do të ketë nevojë për praninë e urgjencës”, deklaroi kryeministri Rama.

Shërbimi i ri i Urgjencës synon arritjen e standardeve europiane, përdorimin me sa më efikasitet i mjeteve dhe personelit në territor. Në dispozicion do të jenë 90 specialistë dhe një flotë prej 140 autoambulancash që do të jenë në shërbim çdo ditë, 24 orë.

“Në sistemin e ri dixhital do të kemi një ekran ku do të kemi të gjithë hartën e Shqipërisë dhe në çdo moment vendndodhjen e çdo autoambulance duke ndjekur në kohë reale lëvizjen e tyre”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Beqaj.

Me shërbimin e ri do të ketë një autoambulancë për 25 mijë banorë nga një për 43 mijë qe ishte më parë.

Top Channel