SHBA akuzojnë Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane

08/10/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara e akuzuan zyrtarisht Rusinë për sulme kibernetike kundër organizmave politike, me qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.

Sulmet e fundit në postën elektronike thuhet në deklaratën e Departamentit të Sigurisë kombëtare, përputhen plotësisht me metodat dhe motivacionet e lidhura drejtperdrejtë me përpjekjet ruse. Më herët gjatë këtij viti u vodhën të dhëna mbi diskutimet brenda Partise Demokratike, çka ekspozoi rrezikun vërtetë të situatës. 

Disa shtete amerikane kanë raportuar tentativa për ndërhyrje në sisteme që kanë të bëjnë me zgjedhjet, por nuk është arritur të bëhet një lidhje direkte mes tyre dhe qeverisë ruse. Kjo e fundit i cilësoi  “absurde” pretendimet e përfshirjes në sulmet kibernetike e tha se faqja e internetit e ekzekutivit rus sulmohet çdo ditë nga hakera, gjurmimi i të cilëve mund të të cojë në Amerikë, por nuk akuzon Shtëpinë e Bardhë për këtë. Sulmet kibernetike ishin njëra prej temave të nxehta të debatit të parë televiziv mes kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë Donald Trump dhe asaj demokrate Hillary Klinton në fund të shtatorit.

Ish Sekretarja e Shtetit e kritikoi ashpër rivalin e saj të madh për lavdërimet e bëra Presidentit rus, Vladimir Putin, dhe për sugjerimin e tij që moska të piratojë qeverinë amerikane.

Top Channel