Ronaldo shfryn ndaj Andorrës, fitojnë pretendentet

07/10/2016 00:00

Skuadrat pretendente për kualifikimin në Botërorin e futbollit në 2018 nuk i lanë asgjë rastësisë në sfidat e kësaj të premte duke fituar pikë të rëndësishme që do të vlejnë shumë për renditjen finale.

Kështu Portugalia kampione e Europës asfaltoi 6-0 Andorrën në një derbi me kushte jo të barabarta në Gadishullin Iberik. E kush tjetër mund të inspironte goleadën e luzitanëve përveç Cristiano Ronaldos, protagonist absolut në kuadratin e rivalëve modestë.

Ndaj ekipit të principatës, bomberi i Realit ishte më i miri në fushë me 4 gola në sfidën ku shënuan gjithashtu Cancelo dhe Silva.

Ndërkohë në Grupin A ndajnë kryesimin e barabartë Holanda, Franca dhe Suedia me nga 4 pikë secila. “Tulipanët” mundën 4-1 Bjellorusinë falë një dopiete të Promes si dhe rrjetave të Klaassen e Janssen, që ishin të mjaftueshme për të zhdukur edhe shenjat e reagimit të miqve me golin e Rios.
 
Me të njëjtat shifra u imponua edhe Franca ndaj Bullgarisë në 90 minutëshin e zhvilluar në “Saint Denis”. Krenaria e formacionit transalpin nuk u përkul nga penalltia e Aleksandrov pasi brenda fraksionit të parë u përmbys gjithçka.

Kevin Gameiro, mesfushori Payet dhe Griezmann eklipsuan ballkanasit ndërsa në pjesën e dytë, fitorja u vulos nga një tjetër finalizim i sulmuesit të Atleticos.

Për t’u shënuar gjithashtu fitorja e Belgjikës ndaj Bosnjës 4-0 falë ndeshjes së mirë të kapitenit Eden Hazard që shënoi 1 e asistoi një tjetër për Lukakun, ndërsa dy golat e tjerë u shënuan nga mbrojtësi Alderweireld dhe një autogol i Spahic.

Edhe Zvicra fitoi 2-3 në transfertën ndaj Hungarisë. Seferovic, Rodriguez dhe Stocker ishin autorët e golave të suksesit helvetik.

Top Channel