Arena është e rrethuar me një rrjetë për të shmangur që luftëtarët të përfundojnë në mes të publikut të entuziazmuar. Duhet të jetë një dyluftim stërvitor, por djemtë e mitur që hipin në ringun e improvizuar në Grozni të Çeçenisë nuk i kursejnë grushtet e shkelmat ndaj njëri tjetrit.

Dhe fitues të këtyre ndeshjeve të arteve marciale të përziera janë, natyrisht, tre djemtë e presidentit çeçen Ramzan Kadyrov.

Spektakli absurd, aq i reklamuar nga babai krenar, ka shkaktuar irritim në të gjithë Rusinë, aq sa ka ndërhyrë edhe zëdhënësi i presidentit Putin, që u ka kërkuar institucioneve përgjegjëse për kujdesin ndaj fëmijëve që të hedhin dritë mbi sa ka ndodhur.

Fëmijët që angazhohen në këtë spektakël gladiatorësh modernë janë të moshave nga 8 deri në 10 vjeç, ndërsa publiku përbëhet nga të rritur që nuk ngurrojnë të shprehin entuziazmin.

Kadyrov, lider i padiskutueshëm i republikës që dikur tentoi shkëputjen nga Moska, nuk i ka për herë të parë bëmat e tij të çuditshme.

Një diplomat amerikan ka treguar për të se dikur kërcente valle me një pistoletë ari në brez. Por këtë herë duket se e ka kaluar cakun.

Djali i tij, Akhmad, 10 vjeç, ka dendur në grushte moshatarin Damir, fatale për të cilin ka qenë një goditje në mëlçi, që e ka shtrirë përdhe në agoni. Ndërsa Eli, 9 vjeç, ka lënduar Danil me grushte në kokë dhe në trup.

Edhe më i vogli, Adam, 8 vjeç, ka entuziazmuar babain pas dyluftimit. “Tregoi se është një luan i vërtetë. Urime Adam!”, është shprehur Kadyrov.

Top Channel