Uragani “Matthew” godet brigjet lindore të Floridës. Rrezikohet Jacksonville

07/10/2016 00:00

Uragani “Matthew” ka lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike në Florida, teksa së fundi është përplasur mbi brigjet lindore të shtetit. Një stuhi e kategorisë së tretë, por që sipas parashikimeve goditjen më të rëndë në juglindjen e Shteteve të Bashkuara pritet ta japë në orët në vijim.

Uragani, i përqëndruar në verilindje të Floridës gjatë pasdites, kërcënon të prekë edhe Jacksonville, por edhe komunitetet gjatë bregdetit të Xhorxhas dhe Karolinës së Jugut.

Edhe pse projektimet tregojnë se stuhia mund të dalë sërish në det pa shkaktuar pasoja të rënda, syri i ciklonit mund të godasë tokën me pasoja shkatërrimtare, e nëse jo në Florida, atëherë me siguri në Xhorxha e Karolinë.

“Matthew do të prekë në tokë diku, sepse terreni i tillë është”, tha meteorologu Chad Myers për “CNN”. Aktualisht ai ka erëra me shpejtësi 185 km në orë në epiqendër dhe ka goditur brigjet lindore me stuhi prej afro 133 km në orë pasditen e së premtes, pasi kaloi paralelisht me brigjet për shumicën e ditës, duke lënë mbetje dhe përmbytje në disa rrugë. Pjesë të St. Augustine u përmbytën thuajse tërësisht edhe pse uragani ishte ende pa u afruar mirë.

“20 persona, përfshi fëmijë, kanë mbetur të bllokuar në St Augustine. Ata njoftojnë se po shqetësohen gjithnjë e më shumë, teksa stuhia po iu afrohet”, bëri të ditur Colburn në “Tëitter”. Shqetësim përbën edhe lumi “St Johns” në Jacksonville, i cili mund të përmbytet nga reshjet që do të sjellë stuhia dhe mund të dalë nga shtrati.

Situata në terren po bëhet gjithnjë e më e frikshme dhe, disa rezidentë që refuzuan të evakuoheshin përpara se të godiste uragani, tashmë duket se janë penduar. Shumë prej tyre që jetonin në ishuj dhe në zonat e ulëta tashmë janë totalisht të bllokuar, teksa e keqja më e madhe prej uraganit është ende përpara.

“Një familje telefonoi dhe tha se çatia u ishte shkëputur nga shtëpia e tyre në Ishullin Merritt”, tha një punonjës i ndihmës së shpejtë. Urdhra evakuimi detyrues u lëshuan për afro 90 mijë njerëz që jetonin në periferitë më të largëta nga toka, shumë pranë brigjeve detare.

Për të bllokuarit, shpresa e vetme është të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë në vende sa më të sigurta dhe, përjashto ndonjë fatkeqësi, të shpresojnë te përmirësimi i kushteve të motit derisa ekipet paramjekësore dhe zjarrfikësit të mund të shkojnë atje për t’i ndihmuar.

FOTO GALERI
1/49

Top Channel