Listat e zeza të Dutertes, kontribues edhe udhëheqësit e komuniteteve

07/10/2016 00:00

Deri më tani ka dy variante mbi vdekjen e drejtuesit të karrocës trirrotëshe me pedale, Neptali Celestino.

Sipas policisë, ai shtiu mbi oficerët e veshur civilë gjatë një operacioni “blic” më 12 shtator dhe ata ia kthyen zjarrin. Sipas të afërmve, efektivët mësynë banesën e tyre të varfër, e mbërthyen Celestinon e paarmatosur në një qoshe, duke e qëlluar në sy të djemve të tij adoleshentë.

Pavarësisht sesi qëndron e vërteta, është e qartë se ditët e Celestinos ishin të numëruara. Emri i tij figuronte në “listën e zezë” të policisë, të mbushur me të dyshuar për lidhje me narkotrafikun.

Lista është krijuar me ndihmën e udhëheqësve të komunitetit dhe njerëzve të tjerë, që jetojnë ashtu si shoferi i vrarë në zonën kaotike e të mbytur nga trafiqet, Palatiwit.

Zyrtarët lokalë, kontribues të zellshëm në radhitjen e emrave të të damkosurve, janë ushtarë të luftës me drogën, e cila ka marrë mbi 3.600 jetë njerëzish që nga qershori, kur në krye të shtetit u vendos Rodrigo Duterte.

Gati 1.400 prej të ekzekutuarve figurojnë në listat e policisë. Nuk dihet me siguri sa prej pjesës tjetër të viktimave janë shënjestruar në të njëjtën mënyrë.

Por si hartohen këto lista?

Rolin kyç këtu e kanë krerët e njësive më të vogla administrative, Barangay, të cilët njihen ndryshe si kapitenët. Ata i gjen kudo, në dasma, pagëzime, funerale. Madje, edhe viktimat e krimeve të rënda ndodh shpesh që më parë t’u drejtohen kapitenëve sesa forcave të rendit.

“Njerëzit na besojnë, – thotë një prej tyre, Eriberto Guevarra, – dhe ne iu përgjigjemi menjëherë”. Krahas udhëheqësve të komunitetit, në identifikimin e të përfshirëve me drogën ndihmojnë dhe komitetet 10-anëtarëshe të Barangayve, në mesin e të cilëve mund të ketë mësues, kujdestarë kishash, krerë rinorë apo pjesëtarë grupesh të tjera të shoqërisë civile.

Top Channel