Meta: LSI, e qartë për reformën në drejtësi

07/10/2016 00:00

Kreu i LSI-së, Ilir Meta zhvilloi pasditen e së premtes një takim me strukturat e partisë në Fier. Në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve, Meta u shpreh se LSI është në rrugë të mbarë drejt konsolidimit si parti.

“Gjatë një periudhe 3-vjeçare janë bërë reforma të rëndësishme në drejtim të mirëqënies së qytetarëve. Reformat janë të dhimbshme, por janë të domosdoshme. Po punohet që reformat të jenë efikase për të ardhmen, edhe pse sot duken të dhimshme”, deklaroi Meta.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Meta tha se LSI gjithmonë ka qenë e qartë duke u bazuar tek direktivat europiane. “E dimë që gjithmonë ka patur debate, por ne jemi munduar që këto debate të mos anashkalojnë qëllimin parësor të tyre, zgjidhjen e çështjeve kryesore për mirëqënien e ketij vendi”, tha Meta.

“Reforma në drejtësi lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe lufta ndaj këtij fenomeni lidhet drejtëpërdrejtë me rritjen ekonomike dhe rritjen e vendeve të punës”, vuri në dukje kryetari i Kuvendit.

Ai shtoi se, LSI kërkon të japë mesazhe gjithëpërfshirëse për qytetarët dhe zgjidhje efikase të problemve të tyre, pasi sipas tij, “ata janë të lodhur nga retorikat e stërzgjatura dhe të kota”.

Top Channel