Rusi, shënohet 10-vjetori i vrasjes së Politkovskayas. Urdhëruesi, ende i pagjykuar

07/10/2016 00:00

Kolegët e gazetares së famshme investigative, Anna Politkovskaya, shënuan 10-vjetorin e vrasjes së saj këtë të premte, duke i kërkuar qeverisë ruse të gjejnë dhe arrestojnë urdhëruesin e vrasjes, ndërkohë që Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se dështimi për gjetjen e tij ka minuar lirinë e shprehjes në Rusi.

Politkovskaya, e cila fitoi edhe duartrokitjet e ndërkombëtarëve për raportimin investigativ të saj që ekspozonte shkeljet e të drejtave të njeriut në Çeçeni, u qëllua me armë në ashensorin e apartamentit të saj në Moskë, më 7 tetor të vitit 2006.

Në vitin 2014, një gjykatë e Moskës dënoi autorin e vrasjes dhe 3 çeçenë të tjerë të përfshirë në vrasjen e saj, së bashku me një ish-efektiv policie nga Moska, i cili ishte edhe bashkëpunëtori i tyre. Një tjetër oficer policie i përfshirë në vrasje arriti marrëveshjen me autoritetet e drejtësisë, që i lejoi atij të merrte një dënim të reduktuar në këmbim të bashkëpunimit me hetuesit.

Media e Politkovskayas, “Novaya Gazeta” kritikoi ashpër gjatë kësaj të premteje hetuesit, për shkak se kanë dështuar të përcaktojnë se kush e dha urdhrin e vrasjes së saj. Gazeta në fjalë tha se “gënjeshtrat e zyrtarëve se çështja është zgjidhur kanë shkaktuar zemërim”.

Kryeredaktori i “Novaya Gazeta”, Dmitry Muratov rikujton shokun e pësuar në momentin e vrasjes së Politkovskayas, duke thënë se “të gjithë ne endemi me fytyra të vrenjtura në përkujtimin e kësaj çështjeje”.

“Më pas kuptuam se, duhej urgjentisht të uleshim e të punonim fort për të kryer hetimin tonë”, shtoi ai.

Muratov tha se gazeta i ka ndihmuar hetuesit të gjejnë një dëshmitar kyç, i cili ofroi informacione të vlefshme që çuan në kapjen e autorëve të vrasjes, por një kërkim zyrtar për urdhëruesin e këtij krimi është kaluar në heshtje.

“Ne nuk jemi si shërbimet e sigurisë. Nuk mund të dëgjojmë bisedat e njerëzve, të kryejmë përgjime, të thërrasim njerëzit për t’i marrë në pyetje, t’i thërrasim ata për t’iu nënshtruar poligrafit. Të gjitha këto mund t’i bëjë qeveria, pasi të gjitha këto janë funksione qeveritare”, tha Muratov për “Associated Press”.

“Pres me padurim që realisht hetimi të përfundojë në kohë sa është ende gjallë nëna e Anës. Nuk dua t’i ngarkoj vetes ndjenjën e të qenit i pafuqishëm, ndaj duhet të ulem e të punoj. Ne do të bëjmë gjithçka mundemi të bëjmë”, shtoi më tej Muratov.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby lavdëroi “kurajon dhe këmbënguljen e Politkovskayas për të hedhur dritë ndaj horroreve të ndodhura në konfliktet e Çeçenisë”.

“Ne i bëjmë sërish thirrje qeverisë ruse të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për urdhrin, planifikimin dhe ekzekutimin e Politkovskayës”, tha ai përmes një deklarate të publikuar të enjten. “Si shumë gazetarë të tjerë që raportuan nga Kaukazi Verior gjatë dy dekadave të fundit, Politkovskaya u vra për shkak se po përpiqej të zbulonte korrupsionin, abuzimin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Pandëshkueshmëria e këtyre vrasjeve vazhdon të minojë lirinë e shprehjes dhe respektin ndaj drejtësisë e të drejtave të njeriut në Rusi”.

Top Channel