Testimi i punonjësve socialë, rezultatet nuk ndikojnë në marrëdhëniet e punës

07/10/2016 00:00

Vijon procesi për rivlerësimin e njohurive të kujdestarëve, punonjësve socialë, mjekëve dhe drejtuesve në qendrat e përkujdesit social në të gjithë Shqipërinë.

“Ata që nuk rifitojnë konkursin do të largohen nga detyra. Jemi për tolerancë zero karshi çdo rasti dhune në qendrat e përkujdesit social, por që të mos kemi raste të tilla duhet të kemi kualifikim dhe cilësi në institucionet tona”, tha ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi.

Sa i takon përmbajtjes së pyetjeve të testimit, tezat janë të personalizuara sipas çdo profili. Ato fokusohen në situata konkrete dhe mbi kodin e etikës.

“Ekspertët kanë qenë të prirur që tezat t’i përgjigjen realitetit konkret të punës. Pra, janë teza të specifikuara sipas tipit të shërbimit që ka secila prej qendrave të përkujdesit social, duke iu përgjigjur situatës konkrete me të cilat stafet punojnë vazhdimisht”, deklaroi Etleva Bisha, drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror.

Por pavarësisht testimit të njohurive të punonjësve në këto institucioneve, sipas Kodit të Punës, asnjë nuk mund të largohet nga detyra pa marrë 2 paralajmërime.

Njësoj si vitin e kaluar, edhe sivjet nuk do ketë shkarkime, pavarësisht deklaratave të përsëritura të ministrit të Mirëqënies Sociale, i cili thotë se kush nuk kalon testimin do të lërë detyrën.

Referuar Kodit të Punës, për të bërë zgjidhje të menjëhershme të kontratës së punës punonjësi fillimisht paralajmërohet në formë këshillimi, më pas merr vërejtje për paralajmërim nga detyra, përndryshe nuk shkarkohet.

Top Channel