Hoxhaj merr mbështetjen e Holandës për liberalizimin e vizave

07/10/2016 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj po vijon vizitën zyrtare në Holandë, ku është takuar me deputetë të Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, me të cilët ka diskutuar kryesisht për çështjen e liberalizimit të vizave dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy vendeve.

Në takimin me kreun e komisionit, Theo van Toor, Hoxhaj i ka kërkuar mbështetje të drejtpërdrejtë për vizat, një vendimmarrje e rëndësishme që do të ndodhë javët e ardhshme në Bruksel.

Hoxhaj ka takuar edhe ministrin për Migracion, Klaas Dijkhoff, me të cilin po ashtu ka diskutuar për çështjen e vizave.

“Në takimin që kisha me Komisionin për Punët e Jashtme pranë Parlamentit të Holandës, si dhe me ministrin për Çështjet e Migracionit, diskutuam për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Mund të them se, nga pala holandeze ka një mbështetje të plotë, që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt Europës në momentin kur do të plotësohen edhe kushtet e fundit që kanë mbetur për t’u përmbushur”, ka thënë Hoxhaj.

Në kuadër të agjendës së tij me qëllim thellimin e raporteve shtetërore edhe në fusha të tjera, Hoxhaj ka takuar edhe Presidentin e Konfederatës së Holandës për Biznesin dhe Punësimin, Hans De Boer, me të cilin kanë diskutuar për mundësitë e investimeve holandeze në Kosovë dhe lehtësirat që ofron legjislacioni kosovar për investitorët e jashtëm.

Dje, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me ministrin e Jashtëm të Holandës, Bert Koenders, me të cilin janë pajtuar për një sërë hapash të përbashkët që do të ndërmerren në të ardhmen, sa i përket bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Holandës.

Top Channel