Miratohet “Eco Tirana”, Këshilli Bashkiak voton krijimin e ndërmarjes së pastrimit

07/10/2016 00:00

Një debat i ashpër është verifikuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës kur do të diskutohej projektvendimi për kalimin në përdorim pa kundërshpërblim i hapësirës së Parkut të Transportiti, e cila ndodhet në rrugën “Don Bosco”, tek shoqëria “Eco Tirana”.

““Eco Tirana” është kompania e parë dhe ne, për turpin e Bashkisë së Tiranës, jemi pararojë e sjelljes së mafies së plehrave në Shqipëri. E nisëm ne si kryeqytet, e nis Erion Veliaj dhe tani Edi Rama do ta vazhdojë në të gjithë Shqipërinë bashkëpunimin me mafien e plehrave, duke e bërë këtë vend të pajetueshëm”, deklaroi këshilltari i djathtë, Fabian Topolli.

“Bashkia e Veronës është aksionere e plotë, me 49 për qind të aksioneve, bashkë me Bashkinë e Tiranës në këtë çështje. Kompania është krijuar me dokumenta që kanë ardhur në këtë këshill, letër më letër, me statut, objektiv e plan biznesi, të analizuara nga ju. Çdo pretendim tjetër është injorancë”, reagoi nënkryetari i Bashkisë, Arbian Mazniku.

Pas debatave të ashpra, këshilltarët e djathtë janë larguar dhe projektvendimi u miratua vetëm me votat e mazhorancës. Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak është miratuar nga mazhoranca pajisja me çertifikatë përdorimi të pallateve të pahipotekuara, që janë 30 për qind e 1.375 pallateve të ndërtuara brenda vijës së verdhë të Tiranës.

“Banorët faktikë të këtyre banesave mund të praraqesin kërkesë pranë bashkisë brenda një viti nga hyrja në fuqi e vendimit. Nëse pronari është likuiduar, apo larguar, apo banorët nuk gjejnë marrëveshje, shpenzimin e këtij kolaudimi e merr përsipër bashkia”, deklaroi kryetari Erion Veliaj.

Në këtë mbledhje u miratua edhe trajtimi me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk përballojnë qeranë e tregut ku përfshihen edhe ato familje që u shpërngulën nga konviktet.

Top Channel