“Brexit”, emigrantët britanikë që jetojnë në BE padisin Junckerin

07/10/2016 00:00

Emigrantët britanikë që jetojnë në Bashkimin Europian kanë ngritur padi ndaj presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, për shkak të urdhrit të tij për të parandaluar diskutimet formale mbi “Brexit”.

Juncker këmbëngul se nuk mund të ketë negociata, derisa Britania e Madhe të aktivizojë “nenin 50” të Traktatit të Lisbonës, pikënisja e procesit të largimit nga BE-ja.

Grupet e emigrantëve kërkojnë bisedime të menjëhershme mbi implikimet e “Brexit”-it ndaj britanikëve që jetojnë në vendet e tjera të BE-së.

Kryeministrja britanike Theresa May ka deklaruar se do ta aktivizojë nenin e shumëpërfolur deri në fund të marsit të ardhshëm. Por, ajo ka bërë gjithashtu thirrje për një “punë përgatitore” me qeveritë e BE-së përpara negociatave zyrtare, në mënyrë që të ndihmohet zbutja e procesit të largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga blloku.

Shoqata jofitimprurëse “Fair Deal for Expats” ka ndërmarrë një sfidë ligjore kundër Junckerit në GJykatën Europiane të Drejtësisë (ECJ). Grupi pretendon se urdhri i tij “presidencial” në lidhje me diskutimet e “Brexit”-it është një “urdhër i paligjshëm shtrëngues” i cili “duhet të anulohet menjëherë”.

Croft Solicitors, përfaqësues i emigrantëve në këtë çështje, tha për BBC se “nuk mund të ekzistojë diçka e tillë si urdhri presidencial” në Komisionin Europian.

Juncker dhe disa prej europarlamentarëve të tjerë kanë paralajmëruar kundër një marrëveshjeje “në letër” me Britaninë, e cila do të inkurajonte vendet e tjera anëtare të BE-së të përzgjidhnin mes politikave të BE-së në shkelje të plotë të rregullores.

Në një fjalim të 28 qershorit, 4 ditë pasi ata që bënë fushatë për largimin e ishullit në referendumin britanik, Juncker u shpreh se “i kishte ndaluar komisionerët të zhvillonin bisedime me përfaqësues nga qeveria britanike me urdhër presidencial, gjë që nuk është në stilin tim”.

“U kam thënë të gjithë drejtorëve të përgjithshëm të Komisionit se nuk mund të zhvillohet asnjë diskutim paraprak me përfaqësuesit britanikë. Asnjë njoftim dhe asnjë negociatë”.

Të premten, Juncker këmbënguli sërish se BE-ja nuk mund të bëjë kompromis mbi lëvizjen e lirë dhe punësimin gjatë bisedimeve për divorcin e Britanisë nga blloku europian. Duke folur nga Parisi, Juncker tha se “nuk mund të mbash një këmbë brenda dhe një këmbë jashtë”. “Kjo do të ishte e papranueshme dhe e cilësoj thjesht si një manovër”, shtoi ai.

Shumë prej politikanëve britanikë kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje që do t’i lejonte Britanisë së Madhe të ruajë avantazhet e përfitimet e tregut të përbashkët, ndërkohë që do të kufizonte numrin e emigrantëve europianë të hynin në vendin ishullor.

Juncker, gjithsesi, paralajmëroi të jetë kundër “bisedimeve sekrete në dhoma të errëta, me perde të ulura, me përfaqësuesit e qeverisë britanike”. “Nëse ne nisim të shkelim tregun e përbashkët europian, atëherë do të përcaktonim edhe fundin e Europës”, tha ai.

Në vendet e BE-së ka rreth 1.2 milionë britanikë, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në Spanjë (310 mijë), e ndjekin më pas Irlanda (255 mijë) me Francën (185 mijë), sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Top Channel