Gjermania apo Çekia, kampionët e botës presin 3 pikët

07/10/2016 00:00

Mungesa e vertikalizimeve dhe finishi i dobët para portës kundërshtare e bënë Gjermaninë të dilte herët nga Europiani 2016, por tashmë në një tjetër turne madhor ku është kampione në fuqi e botës, ekipi i Joakim Lëv është në rrugën e duhur për sukses.

Pas premierës pozitive në kualifikueset e Botërorit, tashmë përballë “panzerave” do të jetë Çekia, një rival që edhe pse i fortë për teknikun gjerman nuk mund t’i cenojë 3 pikët.
 
“Synimi ynë pas dy ndeshjeve të para është 6 pikë dhe nuk pres që ne të bëjmë ndryshe në sfidën ndaj Çekisë. Dua të jemi më intensivë para portës kundërshtare dhe në pasimet finale. Është e rëndësishme të shënojmë shpejt 1-0 ose edhe 2-0”, tha trajneri gjerman.
 
Bundesliga nuk është një nga kampionatet me më shumë gola në Europë por reparti ofensiv i Gjermanisë, pritet që të paktën në letër, të jetë dominues ndaj çekëve.

Që kur Miroslav Klose i dha lamtumirën kombëtares në 2014, trajneri Lëv ka dështuar për të gjetur një finalizues të denjë. Mario Gomez ka zhgënjyer me problemet fizike ndërsa Gëtze nuk është efikas sa duhet me “panzerat”.
 
Ndërkohë në diskutimin për Tomas Myler, trajneri Joakim Lëv nuk e quan një problem edhe nëse sulmuesi bavarez nuk shënon për 5 ndeshje radhazi. Gjermania kryeson Grupin C me 3 pikë, ndërsa Çekia ka marrë vetëm një barazim ndaj Irlandës së Veriut.

Top Channel